MADRID, 11 gusht /ATSH-ANSA/ – Çmimi i Karrierës i dhënë aktorit të njohur amerikan, Johnny Depp nga organizatorët e festivalit të filmit ”San Sebastian” ka ngjallur kritika nga shoqata spanjolle e kineasteve për shkak se aktori akuzohet nga Amber Heard, një ish-modele, aktore dhe ish-bashkëshortja e tij, për abuzim dhe dhunë.
“Kjo është në kundërshtim të plotë”, deklaroi presidentja e kineasteve spanjolle, Cristina Andreu.
“Nuk është koha për t’i dhënë atij një çmim, të paktën deri tani, kur nuk dihet se çfarë ka ndodhur vërtet. Ai ende beson në prezumimin e pafajësisë”, shtoi ajo.
Depp pretendon se tabloidi ”The Sun” kishte gënjyer për abuzimet e pretenduara të raportuara nga ish-bashkëshortja.
Sidoqoftë, mosmarrëveshjet janë ende të pazgjidhura midis Depp dhe Heard.
Në përgjigje të kritikave nga kineastet, drejtori i festivalit të filmit ”San Sebastian”, José Luis Rebordinos tha se çmimi i dhënë Depp në bazë të filmografisë së këtij aktori të madh.
“Funksioni i një festivali e kinemasë nuk është të gjykojë sjelljen e anëtarëve të industrisë së filmit”, deklaroi ai./ a.jor.




















