ROMË, 10 gusht /ATSH-ANSA/ – Pas më shumë se 100 viteve prehje në fund të detit, anija e njohur britanike ”Titanic” rrezikon të zhduket përgjithmonë.
Alarmi u ngrit nga ekipi i studiuesve nënujorë ”OceanGate”, të cilët thonë se rrënojat e anijes që u mbyt në vitin 1912 po përkeqësohen me shpejtësi.
Kjo është arsyeja pse ata vendosën të kthehen në 3 800 metra thellësi, pas misionit të parë një muaj më parë, për të bërë disa fotografi dhe filmuar disa imazhe të anijes historike.
Videot e postuara nga grupi janë spektakolare.
Në të parën, rreth 16 sekonda, shihet qartë një ballkon i klasit të parë; në të dytën prej 12 sekondash, mund të shihni direkun e harkut, i cili u shemb disa vjet më parë.
Më në fund, në një video 10-sekondëshe, filmohet timoni i anijes.
”OceanGate” ka njoftuar se do të vazhdojë xhirimet në mënyrë që të ndjekë hap pas hapi evolucionin e anijes më të famshme oqeanike në histori, e cila udhëtoi nga Southampton në Nju Jork dhe në të cilën 1 500 njerëz humbën jetën pas mbytjes së saj si pasojë e përplasjes me një ajsberg./ a.jor.














