TIRANË 10 gusht /ATSH-I.Vata/ Bashkia e Bulqizës, në kuadër të situatës që po kalon vendi dhe përhapjes së vatrave të zjarrit, ka marrë masa për të qenë në gatishmëri në rast të zjarreve në territorin e bashkisë.
Kryebashkiaku Lefter Alla dhe prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, vizituan ditën e sotme stacionin e zjarrfikëses në Bulqizë.
Ata panë nga afër gatishmërinë e këtij sektori për çdo rrezik të mundshëm, si dhe falënderuan ekipet e punës për ndërhyrjet e menjëhershme që kanë treguar për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë rënë deri tani.
Alla u bëri një apel miqësor të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj çdo situate që mund të shkaktojë zjarrvënie dhe në raste të tilla të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit.
/j.p/r.e/























