TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Në Pogradec po vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme rrugore dhe plotësimin e tyre me elementë urbanë.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhankolli u shpreh sot se “kanë nisur punimet në lagjen 4, rruga “Gani Homçani”, për rikualifikimin e plotë urban të të gjithë bllokut me fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve”.
Sipas tij, punimet do të kryhen për rehabilitimin e rrugëve kryesore të brendshme, trotuareve, si dhe sheshet midis pallateve.
Gjithashtu do të punohet edhe për suvatimin dhe lyerjen e pallateve, rikonstruksionin e çative të banesave kolektive, gjelbërimin e hapësirave publike, si dhe ndriçimin e ri me llampa LED.
“Punimet për këtë projekt do të zgjasin 18 muaj”, tha Xhankolli, teksa shpjegoi se “projekt më vete është investimi në rrugën “Abdyl Frashëri”, e njohur ndryshe si Lagjja e Kafetores”.
Xhankolli, u shpreh optimist që tashmë ka nisur zbatimi i një tjetër zotimi të kësaj bashkie dhe, siç tha ai, “plotësisht i merituar për banorët e lagjeve, pas përfundimit të projektit në lagjen “Gurore” dhe Rruga e “Mokrës””.
Investimet për rikualifikimin urban të lagjeve të Pogradecit, është një vlerë e shtuar në aspektin ekonomik dhe turistik të këtij qyteti, që njihet për bukuritë e veçanta natyrore, kulturore e historike që bart dhe mbetet një nga qytetet më të frekuentuar nga vizitorët e turistët e huaj në çdo stinë të vitit.
/r.e/





















