Ballina Ekonomi

Hidhen në qarkullim tri monedha metalike

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë njofton se duke filluar nga data 23 gusht 2021 do të hidhen në qarkullim monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale 5 Lekë, 20 Lekë dhe 50 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2020.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 5 Lekë, 20 Lekë dhe 50 Lekë, është miratuar me vendimin të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Monedhat metalike, me vlerë nominale 5 Lekë, 20 Lekë dhe 50 Lekë, emetim i vitit 2020, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasë dhe peshë me emetimin e fundit të këtyre prerjeve.

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2020”, si dhe te monedhat metalike të prerjeve 5 lekë dhe 50 lekë, drejtshkrimi i fjalëve “LEKË” dhe “SHQIPËRISË”.

Duke filluar nga data 23 gusht 2020 monedhat metalike me vlerë nominale 5 Lekë, 20 Lekë dhe 50 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2020, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të këtyre prerjeve, emetime të viteve të mëparshme.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKomiteti i Mbrojtjes Civile për zjarret, Peleshi: Serioze situata në Karaburun, shtojmë kapacitetet
Artikulli tjetërSPANJË – Rikthimi i turistëve ul papunësinë në nivel rekord