KPA lë në fuq vendimin për Gentian Lilen

TIRANË, 23 korrik/ATSH/- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj ndihmësit ligjor në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës, Gentian Lile.

Në njoftimin për shtyp, KPK bën të ditur se trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Gentian Lile, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues në mënyrë unanime, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit marrë më datë 09.12.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit Gentian Lile. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thekson KPA.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi në dhjetor të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ndihmësin ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, Gentian Lile pasi ai vendosi të jepte dorëheqjen duke mos pranuar të vijonte më tej përballjen me Vetingun.

Gjithashtu, KPK vendosi të ndalojë emërimin e tij në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.