Kim: SHBA krah jush në luftën kundër krimit dhe terrorizimit

TIRANË 21 korrik /ATSH-I.Vata/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim kanë zhvilluar sot një vizitë në pikën kufitare të Kakavijës.

Në këtë vizitë ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sophia Philippidou, u panë disa prej pajisjeve të dhuruara nga qeveria e SHBA-së për Policinë e Shtetit në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit (EXBS).

Në fjalën e saj, ambasadorja Kim tha se SHBA mbetet e palëkundur duke mbështetur zbatimin e ligjit në Shqipëri.

“Është kënaqësi që jam këtu dhe gjithashtu jam e kënaqur që ndodhem në Kakavijë, në një nga pikat më të rëndësishme të hyrjes drejt Shqipërisë, për të theksuar angazhimin e qeverisë amerikane për të punuar krah për krah me agjencitë shqiptare të ligjzbatimit si dhe me homologët grekë për të siguruar që kufijtë të funksionojnë mirë, të jenë pa rrezik dhe të sigurt. Kufij të sigurtë nuk janë të rëndësishëm vetëm për Shqipërinë apo fqinjët e saj të afërt, Greqinë, por edhe për sigurinë më të gjerë globale, që sigurisht përfshin edhe SHBA-në. Angazhimi i vendosur i qeverisë së SHBA-së për forcimin e ligjzbatimit në Shqipëri është i palëkundur, është këtu tani dhe do të jetë këtu përgjithmonë. Dhurimi i pajisjeve të teknologjisë më të fundit, dhuruar nga ne, që këto burra dhe gra përdorin çdo ditë, janë dëshmi e përkushtimit tonë për të forcuar kapacitetin e Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar”, deklaroi Kim.

Ajo tha se “ne nuk jemi vetëm në zotimin tonë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë në këtë fushë kritike, por punojmë ngushtë me BE-në dhe Greqinë për të forcuar sigurinë zbatimin e standardeve ndërkombëtare për rregullimin e tregtisë dhe për të zbuluar dhe ndaluar transferimet e paligjshme në Shqipëri. Mbrojtja e kufijve nga qarkullimi i armëve, drogës, kontrabandës së njerëzve ndërsa nxit daljet dhe hyrjet e ligjshme është thelbësore për sigurinë rajonale, begatinë ekonomike dhe sovranitetin kombëtar”.

“Konfiskimet e fundit në kufij janë një tregues i mirë dhe pajisjet që kemi dhuruar do sjellin një ndikim pozitiv dhe për këtë ne duhet të falenderojmë këto zyrtarë të ligjzbatimit. Gjithashtu duhet të pranojmë se Policia Kufitare duhet të punoj së bashku me agjencitë e tjera të ligjzbatimit nëse duam të luftojmë elementët kriminale. Trafikimi i armëve të shkatërrimit në masë, tregtitë e paligjshme të narkotikëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar ndërkombëtarë i lidh diçka e përbashkët, ato drejtohen nga kriminelë që janë të zgjuar dhe fuqishëm, prandaj në duhet të jemi më të zgjuar dhe pak më të pamëshirshëm. I nxisim të gjitha agjencitë ligjzbatuese që të punojnë krah për krah në luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe formave të tjera të krimit në Shqipëri ose përmes Shqipërisë. SHBA do të vazhdojë që të qëndrojë krah jush, në luftën kundër krimit dhe terrorizimit”,  tha ambasadorja Yuri Kim.

Ndërkohë ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Sophia Philippidou tha se pika kufitare e Kakavijës është një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit mes dy vendeve për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

“Nga të gjitha pikat e kalimit kufitar kjo është pika kryesore e kalimit nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas. Dhe gjithashtu një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit me Shqipërinë për sa i përket trajtimit të krimit të organizuar dhe kontrabandës. Gjithashtu dua të them se kjo vazhdon të mbetet një kufi i jashtëm i BE. Ne kemi FRONTEX-in në të dy kahet e kufirit. Bashkëpunimi ynë me Shqipërinë do të forcohet edhe më tej. Ky forcim do të fuqizohet kur të mund të ngrihet qendra për bashkëpunimin e Policisë dhe Doganave në pikën e kalimit kufitar në anën e kufirit. Gjithashtu kjo do të na mundësojë shkëmbimin e informacionit në kohë reale në të dy kahet si dhe të bashkërendojmë bashkëpunimin tonë edhe më tej”, u shpreh ambasadorja Philippidou.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.