Ballina Aktualitet

KPA pezullon hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit pezulloi sot hetimin disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtarit Luan Daci, për shkelje disiplinore, deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë mbi ankimin e gjyqtarit Luan Daci, ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pas regjistrimit në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor të çështjes, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh fillimisht shorti (1 korrik), për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa kryesuese e Komisionit Disiplinor u caktua gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtare, gjyqtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.

“Gjyqtari hetues i çështjes Ardian Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme në lidhjen me çështjen vendosi pezullimin e hetimit disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtarit Luan Daci, për shkelje disiplinore, deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë mbi ankimin e gjyqtarit Luan Daci, ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e KPA-së.

Për këtë vendim u njoftua gjyqtari nën hetim disiplinor Luan Daci, përfaqësuesit e ONM-së dhe Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit për zhvillimin e procedimit disiplinor. /m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTikTok me videoCV për ofertat e punës
Artikulli tjetërFRANKFURT – BQE strategji fleksibël për politikën monetare