Ballina Ekonomi

Biznesi dhe konsumatorët, optimistë për rritjen e ekonomisë

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit për të shtatin muaj radhazi në muajin qershor të këtij viti.

Banka e Shqipërisë publikoi sot vrojtimin e besimit të biznesit dhe të konsumatori, mbi pritshmërinë e ekonomisë, për të ardhmen.

Sipas BSH-së, treguesi i ndjesisë ekonomike, shënoi një rritje prej 1.6 % krahasuar me nivelin e muajit maj 2021.

Ecuria pozitive e qershorit u përcaktua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë. Gjithashtu, edhe besimi konsumator u përmirësua.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 4.1 % krahasuar me muajin maj. Kjo rritje u ndikua si nga komponenti i lidhur me ecurinë e biznesit ashtu edhe nga komponenti i lidhur me kërkesën. Përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me muajt pararendës shënoi edhe treguesi i gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 2.2 % krahasuar me muajin e kaluar, duke vijuar të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë. Rritja ka ardhur nga të dy komponentët përbërës të ecuria aktuale e biznesit dhe pritjet për nivelin e punësimit.

Ndërsa treguesi i besimit konsumator u rrit me 0.4 % në muajin qershor, duke vijuar tendencën pozitive të muajve të fundit, ndonëse në një masë më të kufizuar. Rritjen e udhëhoqi pritja pozitive për situatën e përgjithshme ekonomike në të ardhmen, shoqëruar nga përmirësime të lehta edhe të pritjeve për situatën e tyre financiare në të ardhmen, si dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFiskalizimi/ DPT: Bizneset që regjistrohen për herë të parë, kosto më të ulët
Artikulli tjetërBalla: Në shtator komision i posaçëm i Reformës Zgjedhore, adresohet depolitizimi i administratës zgjedhore dhe vota e emigrantëve