TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Kapitali aksioner i sistemit bankar arriti në vlerën 164.34 miliardë lekë, në fund të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, gjatë vitit 2020 kapitali aksioner i sistemit bankar u rrit me rreth 10.1 miliardë lekë, ose 6.56 % kundrejt një viti më parë.
Struktura e kapitalit vijon të dominohet nga kapitali i huaj, i cili, në fund të vitit 2020, përfaqëson rreth 76.04 % të kapitalit të paguar të sistemit bankar, me një rënie prej rreth 1.12 % kundrejt fundit të vitit 2019.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në fund të vitit 2020, sistemi bankar mbetet i konsoliduar në 12 banka, ku 4 janë banka me kapital shqiptar dhe 8 me kapital të huaj. Nga këto të fundit, 6 kanë origjinë nga vende të Bashkimit Europian. /j.p/r.e/























