Ballina Flash

Lazeri zbulon efektet e dëmtimit të shikimit në tru

MILANO, 2 korrik /ATSH-ANSA/ – Shkencëtarët milanezë kanë zhvilluar një teknikë të re joinvazive hetimi që përdor impulse të shkurtra lazer për të studiuar efektet e dëmtimit të shikimit në tru.

Teknika u testua me sukses në 98 persona me dhe pa glaukomë dhe hap rrugë të reja në studimin e kësaj sëmundjeje ende pjesërisht të panjohur, ndërsa në të ardhmen mund të përdoret drejtpërdrejt në klinikë për të vlerësuar kushtet e pacientëve.

“Për herë të parë, me këtë teknikë, u vu re se te pacientët me glaukomë përgjigjet cerebrale gjatë shikimit duken më të moderuara, sesa në grupin e kontrollit, duke konfirmuar një përfshirje të korteksit pamor cerebral jo vetëm nga pikëpamja anatomike, si strukturë e trurit, por edhe nga pikëpamja funksionale, domethënë në mënyrën se si truri u përgjigjet stimujve pamorë”, tha Rebecca Re nga Spitali Politeknik i Milanos.

Reagimi i ndryshëm i trurit është theksuar falë teknikës së re TD-fNIRS, një lloj spektroskopie që përmes impulseve të shkurtra lazer lejon të përcaktohet sasia e hemoglobinës me ose pa oksigjen të pranishëm në zona të ndryshme të trurit./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdihma juridike falas/ Mbi 731 persona në nevojë kanë përfituar shërbim në 8 qendra
Artikulli tjetërDepozitat bankare në euro u rritën me 20 % në fund të prillit