LONDËR, 30 qershor /ATSH-AFP/ – Mbretëresha Elizabeth II do të presë të premten kancelaren gjermane, Angela Merkel në kështjellën Windsor, 40 kilometra nga Londra, njoftoi sot pallati Buckingham.
”Takimi mes sovranes britanike dhe kancelares gjermane, e cila do të lërë kancelarinë pas zgjedhjeve legjislative të shtatorit, do të zhvillohet pasdite”, theksoi pallati në një komunikatë.
Mbretëresha Elizabeth II dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel u takuan edhe në mes të qershorit në samitin e drejtuesve të G7-s në Cornouailles.
Kancelarja gjermane, Merkel do të takohet gjithashtu edhe me kryeministrin britanik, Boris Johnson, i cili do ta presë në Chequers, rezidencë e kryeministrave britanikë në veriperëndim të Londrës.
Mes çështjeve që do të diskutohen mes dy drejtuesve bën pjesë pandemia e koronavirusit. Kancelarja gjermane kërkon që 27 vendet e Bashkimit Europian të bien dakord për të vendosur një karantinë për udhëtarët që vijnë nga Britania e Madhe dhe për të shmangur importin e variantit Delta në kontinent./ /ec/























