ROMË, 5 qershor /ATSH-ANSA/ – Nuk mund të sulmohen nga viruset, sepse ata nuk e kuptojnë gjuhën e tyre dhe nuk mund t’i ndihmojnë të replikohen, duke i detyruar viruset të dorëzohen: bakteret sintetike rezistente ndaj infeksioneve janë zhvilluar në laboratorët britanikë të Këshillit të Kërkimeve Mjekësore.
Zhvillimi i tyre, i përshkruar në revistën shkencore “Science”, i hap rrugën mundësisë për të marrë mikroorganizma nga trashëgimia gjenetike e modifikuar dhe për t’i shndërruar në fabrikat e barnave, të tilla si antiviralë, antibiotikë ose ilaçe antikancerogjene, ose plastika të reja biodegraduese.
Ky është realizimi i parë i ëndrrës së biologjisë sintetike, i inaguruar gati 20 vjet më parë nga një prej pionierëve të sekuencimit të gjenomit njerëzor, Craig Venter, me kromozomin e parë artificial dhe më pas, në 2010, me qelizën e parë të mbledhur në laborator.
Shkencëtarët modifikuan një nga bakteret më të zakonshme, Escherichia coli: përveç aminoacideve që ekzistojnë në natyrë, të ashtuquajturave aminoacide “kanonike”, kodi i tij gjenetik u pasurua duke përdorur për herë të parë më shumë aminoacide që nuk ekzistojnë në natyrë (jokanonike).
Deri më tani ishte bërë vetëm një zëvendësim në herë.
Të koordinuar nga Wesley E. Robertson dhe Jason W. Chin, studiuesit modifikuan paketat në të cilat organizohet informacioni gjenetik.
Duke u nisur nga ky komplet natyral i bakterit, studiuesit hoqën disa kode dhe disa sekuenca tRna, duke i zëvendësuar ato me ato artificiale.
Kështu bakteri i marrë nuk di të lexojë kodin gjenetik të viruseve.
Këta të fundit, në fakt, riprodhohen duke shfrytëzuar aftësinë e qelizave për të lexuar të gjitha paketat e informacionit të gjenomës së tyre, por bakteri i ri është plotësisht “analfabet” nga kjo pikëpamje.
Si pasojë, kur virusi hyn në qelizë nuk gjen ndihmë për t’u kopjuar dhe infeksioni nuk ndodh./ /ervo/






















