ROMË, 29 maj /ATSH-ANSA/ – Trajtimi i personave me diabet tip 2 nëpërmjet terapive me insulinë, që injektohet vetëm një herë në javë, është po aq i sigurt dhe efikas, sa edhe injeksionet ditore të insulinës, konfirmojnë dy studime klinike ndërkombëtare të botuara në internet në “Diabetes Care”.
Insulina, që ka qenë themeli i trajtimit të diabetit për 100 vjet, është një agjent efektiv për uljen e sheqerit në gjak dhe është i sigurt kur përdoret në dozën e duhur.
Por fillimi dhe mirëmbajtja e trajtimit me insulinë mbetet një sfidë për miliona pacientë me diabet tip 2 në të gjithë botën.
Barra e terapisë me injeksion ndihmon uljen e respektimit të trajtimit, me pasoja shëndetësore.
“Për këtë arsye, një insulinë javore mund të jetë gjithashtu një pikë kthese për përmirësimin e pajtueshmërisë me recetat e mjekut”, tha Ildiko Lingvay, profesor i Mjekësisë së Brendshme dhe autori kryesor i të dy studimeve.
Hulumtimi i parë përfshiu 205 pacientë nga shtatë vende (SHBA, Kroaci, Gjermani, Hungari, Poloni, Sllovaki dhe Spanjë) dhe tregoi efikasitetin thelbësor dhe sigurinë e terapisë javore.
I dyti përfshiu 154 pacientë nga pesë vende (SHBA, Kanada, Republika Çeke, Gjermani dhe Itali) për të vlerësuar mënyrat më të mira për të kaluar nga një regjim ditor në javor.
Sipas Lingvay, një administrim një herë në javë i insulinës lehtëson trajtimin dhe zvogëlon barrën edhe për profesionistët e kujdesit shëndetësor, të cilët kujdesen për pacientët, veçanërisht për ata që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë dhe ata me probleme kujtese./ /ervo/






















