TIRANË, 28 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot konfirmimin në detyrë të Natasha Priftit (Shallapi), prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancën për shpalljen e vendimit për prokuroren Prifti.
Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Alma Faskaj dhe Etleda Çiftja pasi analizoi provat dhe fakte vendosi konfirmimin në detyre të subjektit të rivlerësimit Natasha Prifti (Shallapi), prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Roland Ilia, Etleda Çiftja relatore, Alma Faskaj anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, me përjashtim të pikës 2, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë.
/r.e/






















