TIRANË, 22 maj /ATSH – I. Vata/- Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, sjell larminë e florës dhe faunës në Lagunën Kune-Vain Lezhë.
Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit është shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1993, për të theksuar rëndësinë e biodiversitetit.
Biodiversiteti është ushqimi që hamë, uji që pimë, ajri që marrim frymë. Për më tepër, ne njerëzit jemi pjesë e tij, sepse jemi pjesë e natyrës”, ka thënë dr. Cristiana Paşca Palmer, nga OKB. Pra, na duhet një planet i shëndetshëm me ekosisteme të shëndetshëm dhe çdo formë a lloj jetese në natyrë të shëndetshme, që dhe ne njerëzit të kemi një jetë të shëndetshme! Çdo kush përfiton, kur natyra lulëzon.
Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë atij të Shëngjinit.
Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.
Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj.
Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.














