TIRANË, 21 maj /ATSH – I. Vata/ Grupi “Për PD” ka depozituar sot zyrtarisht dy kandidatë, për postin e kryetarit të PD-së në zgjedhjet brenda partisë që do të mbahen në datë 13 qershor 2021.
Kandidaturat e propozuara nga grupi “Për PD” për postin e kryetarit të PD-së janë Edit Harxhi dhe Ibsen Elezi.
Nëpërmjet një deklaratë për mediet, grupi “Për PD” ka parashtruar disa kërkesa të domosdoshme për garantimin e një gare të ndershme dhe të lirë, pavarësisht nga koha tejet e shkurtër e vendosur në mënyrë të njëanshme nga kryesia e PDSH.
“Kryesia e PDSH-së dhe Komisioni Elektoral të vënë në dispozicion të kandidatëve për kryetarë të PDSH-së, jo më vonë se data 24 maj 2021, listën e plotë të anëtarësisë së PDSH-së.Të rishikohet përbërja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për Kryetar.Të hartohet një agjendë e takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit. Zyra e Organizimit dhe kryesitë e degëve të venë në funksion të kandidatëve për Kryetar të PDSH-së, infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkëta të sipërcituara. Mbetemi në pritje të plotësimit të këtyre kërkesave te domosdoshme për një gare të hapur, të barabarta dhe të mbështetur në vlerat më të mira perëndimore të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, thuhet në deklaratë. /j.p/r.e/






















