LONDËR, 20 maj /ATSH-AFP/ – Më shumë se 25 vjet pas një interviste shpërthyese të Lady D për monarkinë britanike, një raport i pavarur denoncoi sot metodat “mashtruese” të përdorura nga gazetari Martin Bashir për ta marrë atë, duke e detyruar BBC të kërkojë falje.
E transmetuar në emisionin “Panorama” në 1995 përpara 23 milionë shikuesve, intervista e katapultoi në majë karrierën e Martin Bashir, tani 58 vjeç dhe pati efektin e një bombe.
Princesha, e cila vdiq në një aksident automobilistik në Paris në 1997, e ndjekur nga paparacët, pohoi qartë se kishte “tre persona” në martesën e saj, një referencë ndaj lidhjes së princit Charles me Camilla Parker Boëles, si edhe pranoi të kishte edhe vetë një lidhje jashtëmartesore.
Ajo gjithashtu tregoi se vuante edhe nga bulimia.
Megjithatë, intervistuesi u akuzua për falsifikim të dokumenteve për të marrë këtë intervistë.
Në raportin e tij, ish-gjykatësi i Gjykatës së Lartë, John Dyson konfirmon këtë variant dhe bëri fajtore BBC për trajtimin e një çështjeje që ajo e ka zvarritur si një top për vite me radhë.
“Nëpërmjet sjelljes së tij mashtruese, Bashir arriti të organizojë takimin që çoi në intervistë”, thuhet në raportin e Dyson.
Në një deklaratë, drejtori i përgjithshëm i BBC, Tim Davie, tha “i pranoj përfundimet” e këtij hetimi.
“Megjithëse raporti thotë se Diana, Princesha e Uellsit, ishte në favor të idesë së një interviste me BBC, është e qartë se procesi i marrjes së intervistës nuk ishte në atë lartësi që publiku ka të drejtë të presë. Na vjen shumë keq për këtë”, sqaroi Davie./ /ervo/






















