TIRANË, 19 maj /ATSH – I. Vata/ Policia e Shtetit ka sekuestruar sot në Portin e Durrësit rreth 123 mijë paund që vinin nga Anglia.
Në njoftim thuhet se strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me strukturat doganore sekuestruan një shumë të madhe parash të padeklaruara në kufi.
“Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe seksionin për hetimin e krimit ekonomik e financiar në DVP Durrës, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në portin e Durrësit. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë dhe atyre doganore, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një furgon mallrash që vinte nga Anglia, me drejtues shtetasin O. S., 21 vjeç, banues në Hamallë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se, ” gjatë kontrollit, në pjesën e prapakolpit të furgonit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 pako me para. Nga këqyrjet e kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 123.460 paund dhe 280 stërlina. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. S., për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndërkohë, nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të implikuar në këtë vepër penale”.






















