ROMË, 18 maj /ATSH/ – Rezistenca ndaj antibiotikëve, pra aftësia e një bakteri për t’i rezistuar veprimit të një antibiotiku, mund të jetë natyrale, shkruan faqja e internetit ”Il Giornale”.
Zbulimi i antibiotikëve ishte i një rëndësie të madhe për shëndetin pasi bëri të mundur shërimin e sëmundjeve, dikur vdekjeprurëse.
Sidoqoftë, përdorimi jo plotësisht i duhur i bërë gjatë viteve të fundit ka bërë që këto rezistenca të zhvillohen: bakteri që i mbijeton një trajtimi me antibiotikë mund të shumëzohet dhe të transmetojë këtë aftësi te bakteret e tjera.
Në këtë pikë rreziku nuk do të shqetësojë vetëm personin që ka marrë ilaçin gabimisht, por edhe ata që më pas sëmuren me të njëjtin infeksion.
Problemi është se ka gjithnjë e më shumë baktere që fitojnë këtë karakteristikë dhe numri i tyre nuk kompensohet nga antibiotikët e rinj.
Ndër speciet më të rëndësishme bakteriale që janë bërë rezistente ndaj antibiotikëve, kujtojmë Staphylococcus aureus, i cili mund të shkaktojë infeksione të lëkurës dhe të gjithë organizmit (septicemia); Klebsiella pneumoniae, e cila shkakton septicemi, infeksione urinare dhe pulmonare; Campylobacter, i cili shkakton infeksione të zorrëve dhe Escherichia coli, të cilat mund të shkaktojnë lloje të ndryshme të infeksioneve, më të shpeshtat e të cilave janë infeksionet urinare./ /os/














