Ballina Flash

BRUKSEL – BE: Pakti i Gjelbër do të jetë edhe “blu”

BRUKSEL, 17 maj /ATSH-AFP/ – Pakti i Gjelbër Europian, që synon neutralitetin e karbonit në kontinent deri në 2050, do të ketë të bëjë gjithashtu me “ekonominë blu”, duke zhvilluar akuakulturë dhe turbina ere në det ndërsa përpiqet të “dekarbonizojë” peshkimin dhe transportin detar, njoftoi sot BE.

“Të gjithë sektorët e lidhur me detin, peshkimi, akuakultura, turizmi bregdetar, transporti detar, portet dhe kantieret, do të duhet të zvogëlojnë gjurmën e tyre mjedisore dhe klimatike ndërsa hapin mundësi të reja ekonomike”, tha eurokomisioneri për Mjedisin, Virginijus Sinkevicius.

Ato përfaqësojnë 4,5 milionë vende pune të drejtpërdrejta në BE dhe 650 miliardë të ardhura vjetore.

“KE synon të rrisë instalimin e turbinave me erë në det, energjinë diellore detare ose teknologjitë e baticës për të arritur kapacitete kumulative prej 300 gigavat deri në 2050, kundrejt 12 sot, si edhe për të gjeneruar në det një të katërtën e energjisë së BE”, shtoi ai.

Sinkevicius theksoi se secili shtet anëtar është i ftuar t’i kushtojë një pjesë të planit europian të rimëkëmbjes “ekonomisë blu”, strategjive kombëtare që duhet të marrin dritën jeshile nga Brukseli./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Mitsotakis: Liria nuk do të thotë papërgjegjshmëri
Artikulli tjetërCOVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 2639 testime, 1107 të shëruar, 17 raste të reja dhe 3 humbje jete në 24 orët e fundit