Red Hot Chili Peppers shet katalogun e tij muzikor

NJU JORK, 9 maj /ATSH-AFP/ – Grupi amerikan i Alternative Rock, The Red Hot Chili Peppers i ka shitur katalogun e këngëve të tij njërit prej gjigantëve të menaxhimit të të drejtave muzikore, “British Hipgnosis”, për një shumë të vlerësuar midis 140 dhe 150 milionë dollarë, sipas revistës “Billboard”.

I themeluar në vitin 1983, Red Hot Chili Peppers ra në sy vetëm në 1992 me albumin e tyre “Blood Sugar Sex Magik”, nga i cili është marrë pjesa “Under The Bridge”, që mbetet suksesi i tyre më i madh deri më sot.

Në total, grupi i udhëhequr nga këngëtari Anthony Kiedis dhe basisti Flea vendosën shtatë albume në 10 shitjet më të mira në SHBA, përfshirë “Californication”, që ka shitur mbi 15 milionë kopje në botë.

Që nga fillimi dhe listimi i tij në Bursën e Londrës në 2018, Hipgnosis ka mbledhur më shumë se 1,1 miliardë stërlina (1,5 miliardë dollarë).

Për të financuar blerjen e katalogut Red Hot Chili Peppers, fondi investues kreu një rritje kapitali, që i mundësoi grumbullimin e rreth 15 milionë dollarë, sipas dokumenteve të lëshuara nga London Stock Exchange, LSE.

I krijuar nga ish-menaxheri i Elton John dhe Iron Maiden, Merck Mercuriadis, fondi ka investuar disa qindra miliona dollarë në të drejtat e muzikës me një ritëm të qëndrueshëm.

Ai tani kontrollon një seri klasike të muzikës Folk, si edhe të drejtat për dhjetra hite të fundit, duke përfshirë “Shape of You” nga Ed Sheeran dhe “Uptown Funk!” nga Bruno Mars./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.