TIRANË, 26 prill/ATSH/ Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Grida Duma, tha sot se “shqiptarët kudo kanë votuar Partinë Demokratike, Aleancën për Ndryshim, ky është fakt që nuk zhbëhet më”.
Në një deklaratë për mediet Duma tha se “në Kavajë dhe Rrogozhinë, kemi nisur dhe jemi në përfundim të numërimit, të atyre që quhen njësitë administrative apo ish-komuna, të cilat kanë një rezultat të cilin gati-gati nuk e prisnim. Ka bastione si Golemi, të cilat Partia Demokratike ka një rritje midis 30 dhe 50 % dhe Partia Socialiste ka një rënie të konsiderueshme midis 30 dhe 40 %. E pra, nuk e imagjinonim që do t’i drejtoheshim qytetit, Kavajës apo Rrogozhinës me një rezultat të tillë”.
“Pa asnjë dyshim, shqiptarët kanë votuar Partinë Demokratike dhe ndryshimin dhe presim që nga çasti në çast ky rezultat final të përcaktojë dhe fitoren që në fund të këtij numërimi duhet të jetë në fakt e merituar dhe e duhura për shqiptarët”, – theksoi Duma.
Duma u shpreh se “do të jetë dhe padyshim do të jetë një rezultat i një fitore të jashtëzakonshme që shqiptarët po e presin, që ndryshimi duhet sjellë”./k.s/r.e/























