Efektet e rënda shëndetësore të dyoksidit të azotit

SHANGAI, 20 prill /ATSH/ – Dyoksidi i azotit (NO2) është një gaz i kuq në kafe, me një erë të fortë dhe të mprehtë, shumë toksike dhe irrituese, shkruan faqja e internetit ”Il Giornale”.

Ai mund të shkaktojë acarim të kollës, syve, hundës dhe fytit.

Veçanërisht të ndjeshëm janë fëmijët ose njerëzit që vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes, të tilla si astma dhe bronkiti kronik, por edhe ata që jetojnë pranë rrugëve me trafik të lartë, për shkak të kohëzgjatjes së gjatë të ekspozimit.

Dyoksidi i azotit prodhohet kryesisht nga trafiku i automjeteve. Burime të tjera janë sistemet civile dhe industriale të ngrohjes, impiantet e energjisë dhe procese të ndryshme industriale.

Për të zvogëluar ekspozimin ndaj këtij gazi, brenda shtëpive, është e nevojshme të kontrolloni rregullisht pajisjet e gazit, të mbani kuzhinën të ajrosur mirë, të mos pini duhan në ambiente të mbyllura dhe të kontrolloni sistemet e ventilimit periodikisht nga teknikë të specializuar.

Meqenëse është më i dendur se ajri, dyoksidi i azotit mbetet kryesisht në nivelin e tokës.

Një studim i botuar në British Medical Journal zbulon se edhe një rritje e vogël e përqendrimit të NO2 mund të lidhet me rritjen e vdekjeve nga shkaqe të frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare.

“Gjetjet tona sugjerojnë nevojën për të rishikuar dhe forcuar udhëzimet aktuale të cilësisë së ajrit dhe për të marrë parasysh kufijtë rregullatorë më të rreptë për përqendrimet e dyoksidit të azotit”, shpjegon Xia Meng, nga Universiteti ”Fudan”, Shangai, Kinë, autori i studimit. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.