“Basha shpërndan lekë virtuale”/ Program është karakteri i lidershipit dhe i skuadrës

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se “çdokush që di të shkruajë e të lexojë, apo di të përkthejë dhe të dëgjojë tre ekspertë, mund të bëjë një program elektoral. Çështja nuk është programi, çështja është karakteri. Program është karakteri i lidershipit dhe i skuadrës. Program është prova se ti je në gjendje që fjalët t’i kthesh në vepra”.

Gjatë një interviste televizive, Rama solli shembullin, se me të gjitha këto lekët virtuale që Lulzim Basha po shpërndan çdo ditë, lekë kësaj kategorie, lekë kësaj kategorie tjetër, do të duheshin t’i merreshin nga buxheti i shtetit 3,4 miliardë lekë.

“Pra 3.4 miliardë është një program absurd, është njësoj si programi i Rrapush Xhaferrit. Më jepni një t’ju jap dy. Me bori, me makina dhe njerëzit që e prisnin me flamuj, këngë e valle, ndërsa këtë e presin me dy gishta. Rapushi në fakt nuk krijonte të paktën vatra të kovidit. Këtu krijohen edhe vatra nga infektimi kovid dhe i thoshte më jepni një t’ju jap dy”, u shpreh Rama.

“Lulzim Basha është një kukull, nuk është një lider. Shqiptarët dhanë një dhe morën dy gishtat në sy dhe u qërruan fare, e humbën përfundimisht në një tym e flakë, të një lufte të brendshme që shkaktoi mijëra të vdekur. Ja ky është programi në thelb i PD-së, për të mos harruar që bartësi i programit është dikush që kur kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ka arritur me afësinë e një artisti të vërtetë të thotë më shih në sy, kjo është buka dhe unë do të ul çmimin e bukës. Një kryetar bashkie që brodhi nëpër dyqanet e bukës si kandidat dhe do të ulte çmimin e bukës e do të ndërtonte tramvajin e Tiranës e do të ulte taksat dhe në fund fare që nuk bëri asgjë nga këto, siç e dinë të gjithë tashmë”, u shpreh Rama.

Rama tha se nuk di të ketë pasur një traditë për debate publike mes liderëve në fushata zgjedhore.

Megjithatë tha ai, “do të duhej që të ishte vërtet përballë një lider i cili është tërësisht përgjegjës për atë që thotë dhe atë që bën. Jo dikush që faktikisht edhe pse falë konsulentëve, i ka fshehur nga ekranet ata që e kontrollojnë, ata që i imponohen dhe ata që mund ta fshijnë për 30 sekonda nga ai pozicion”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.