TIRANË, 23 mars/ATSH/ Java e Parasë çeli sot siparin e një sërë aktivitetesh të rëndësishme, që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marë vendime financiare të mirëmenduara.
Prej pothuajse 10 vitesh Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe partnerëve të tjerë, bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje globale duke organizuar përgjatë çdo fund marsi aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për grupmoshat e nxënësve të arsimit para universitar dhe atij universitar.
Tema e Javës Globale të Parasë për vitin 2021 ishte “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”. Ajo nënvizon rëndësinë kyçe që kanë njohuritë mbi një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe inovator. Zhvillimi i teknologjisë së informacionit i ka hapur rrugë inovacionit financiar i cili i mundëson publikut përdorimin e produkteve të reja financiare e bankare. Instrumentet e reja të pagesave kanë siguruar gjithashtu distancimin fizik në mbrojtje më të mirë të shëndetit publik veçanërisht në situatën e krijuar nga COVID-19.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë, si institucioni mbikëqyrës dhe nxitës i sistemit bankar shqiptar, përveç përgjigjes së menjëhershme ndaj vështirësive të ardhura si pasojë e COVID-19, përmes një pakete të plotë masash monetare, mbikëqyrëse, makroprudenciale dhe operacionale, gjen jo me më pak rëndësi edhe hartimin dhe organizimin e iniciativave edukuese siç është dhe Java Globale e Parasë.
Në ceremoninë e sotme online ishin të pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, dhe kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi se nëpërmjet aktiviteteve edukuese Banka e Shqipërisë synon të afrojë brezin e ri me botën e ndërlikuar të financave dhe bankingut; të prezantojë dhe të përçojë njohuri mbi mundësitë, por dhe rreziqet, që produktet e larmishme bankare e financiare mbartin; si dhe të prezantojë publikun e ri me informacione të nevojshme mbi huamarrjen dhe kursimin.
Guvernatori shtoi se iniciativat edukuese të Bankës së Shqipërisë nuk kufizohen vetëm në aktivitetet e Javës Globale të Parasë. Edukimi financiar i publikut është pjesë e rëndësishme e punës së përditshme ku përmes mjeteve edukative virtuale të vendosura në faqen tonë zyrtare, nxënësit dhe mësuesit mund të mësojnë gjatë gjithë vitit mbi çështje të financave, duke parë video dhe shfletuar literaturë dedikuar arsimit parauniversitar dhe studentëve.
Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë vlerëson se edukimi financiar duhet të nisë sa më herët. Ky pohim përbën dhe filozofinë e programeve të institucionit i cili synon ndërtimin e urave të komunikimit, ndërgjegjësimin dhe rritjen e njohurive financiare tek brezi i ri. Ata duhet të përftojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimin dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, me qëllim që në të ardhmen e tyre si individë të maturuar të arrijnë mirëqenie financiare si dhe të jenë të aftë të përballojnë situatat e emergjencës, siç është kjo që po kalojmë aktualisht.
Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.
Në kuadër të kësaj jave u organizuan katër konkurse mbi temën “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”. Konkursi i parë i organizuar ishte ai i “Vizatimit të Mirë” drejtuar nxënësve të klasave të V të vendit, konkursi i dytë ishte ai mbi fotomontazhet (memet) më të mira, drejtuar nxënësve të klasave VII dhe VIII në të gjithë vendin. Konkursi i tretë ishte ai mbi videon më të mirë drejtuar gjimnazistëve të vendit, dhe konkursi i katërt ai mbi postimin më të mirë në Facebook me temë “Ndikimi i Covid-19 në ekonomi dhe kujdesi për financat personale në periudha pandemie”, drejtuar studentëve të degëve Ekonomi/ Financë-Bankë.
Gjithashtu, në kuadër të Javës së Parasë 2021, në datën 25 mars do të organizohet për herë të tretë Kuizi Europian i Parasë, një konkurs mbareuropian me qëllim përmirësimin e kulturës financiare të fëmijëve në moshën 13-15 vjeç (klasat e 9-ta) pavarësisht lëndëve mësimore që zhvillojnë. Kuizi pritet të përfshijë qindra nxënës. Fituesit në rang kombëtar, do të konkurrojnë në finalen evropiane të Kuizit Europian të Parasë, i cili do të zhvillohet online në datë 20 prill 2021.
/j.p/r.e/























