SAN FRANCISKO, 23 mars /ATSH-ANSA/ – Princi Harry ka pranuar një punë në Silicon Valley, si menaxher në “BetterUp”, një kompani start-up me vlerë mbi një miliard dollarë, aktive në trajnime dhe këshillime profesionale për mirëqenien psikologjike në vendin e punës.
Puna e re i jep më shumë mundësi Dukës së Sussex të sigurojë më tej pavarësinë e tij nga familja mbretërore britanike, duke ia bashkangjitur këtë marrëveshjeve shumëmilionëshe që, së bashku me bashkëshorten e tij Meghan, ka nënshkruar me Netflix dhe Spotify.
Në rolin e tij të ri si shefi i ndikimit, princi do të kontribuojë në vendimet për strategjinë e produkteve dhe iniciativat bamirëse të BetterUp.
Harry, i cili nuk do t’i menaxhojë drejtpërdrejt punonjësit e BetterUp, ka të ngjarë të kalojë kohë në San Francisco, selia e kompanisë, sapo të krijohen kushtet për një kthim të sigurt në zyrë pas pandemisë.
“Unë dua të ndihmoj, të ndikoj në jetën e njerëzve”, tha Harry për “The Ëall Street Journal”, duke shpjeguar pse ai vendosi ta pranonte punën.
“Shumë shpesh, për shkak të pengesave shoqërore, vështirësive financiare ose frikës nga stigmatizimi, shumë persona nuk përqendrohen në shëndetin e tyre mendor derisa të detyrohen”, shtoi ai.
Ky rol i Harry-t është ende një detyrë e rrallë edhe për Silicon Valley-n progresiv, por një post që po fiton popullaritet në rritje./ /ervo/














