TIRANË, 19 mars/ATSH/ Dëftesat do të printohen me vulë elektronike, sapo të mbarojë digjitalizimi i gjithë sistemit para universitar dhe do të fillojnë të përdoren qysh në vitin e ardhshëm shkollor.
Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit: Rruga drejt 25 prillit – Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin.
“Po hyrja në universitet? Me platformën sot si është? Po kur ishte? Para 700 vjetësh? Para 70 vjetësh? Para 27 vjetësh? Jo, jo, deri përpara disa vjetësh, koha kur na u hodhën në fyt, e para u hodh në fyt LSI-ja me Monikën, që tundi dheun për stresin që po i krijohej maturantëve. Në fakt, ishte stresi që iu krijua LSI-së, sepse nuk mundej më të fuste në universitet kë të donte, nuk mundej më që certifikatë hyrje për në universitet të kishte teserën e LSI-së dhe jo rezultatet e secilit të paprekshme”, u shpreh Rama.
“Sa shumë keni vuajtur të gjithë ju që ngisni makinën? Këtu unë nuk mund të flas në emrin tuaj, se unë nuk e ngas makinën, unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju, dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenarë këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin. E pra, timonin e makinave e keni ju, jo unë. Sa keni hequr me atë DPSHTRR për lejet e qarkullimit, për gjithë ndërveprimet? Si i bëni sot? Revolucion! Po kush i bëri, Bill Gates? Apo i solli koha? Se disa thonë, i solli koha. Po pse i solli koha kur në drejtim jemi ne? Pse nuk i solli kur në drejtim ishin ata? Apo nuk ishte shpikur interneti? Sa herë e keni dëgjuar Shqipërinë digjitale? Shqipërinë internetuale, Shqipërinë mikrosuperfuqi globale, energjetike dhe solare? Ku ishin? Janë po ata që duan sot të rikthehen”, theksoi Rama.
/r.e/























