Ballina Flash

Biden rrëzohet gjatë ngjitjes në bordin e “Air Force One”

UASHINGTON, 19 mars /ATSH/ – Presidenti  amerikan, Joe Biden u pengua tri herë dhe u rrëzua në shkallët e avionit presidencial “Air Force One”, duke ngritur pikëpyetje të reja në lidhje me shëndetin e tij, shkruan korrespondentja amerikane, Josie Ensor, për faqen online të “The Telegraph”.

“Në moshën 78-vjeçare, presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së, u duk se po stërmundohej ndërsa po ngjitej në avionin presidencial”, tha ajo.

Nuk qe menjëherë e qartë se çfarë e rrëzoi Biden herën e parë, por pak pasi rifitoi drejtpeshimin, ai u rrëzua edhe dy herë të tjera, para se ngrihej e të pastronte pluhurin.

Ndërkohë, zyrtarët e sigurimit e ndiqnin me shqetësim nga toka.

Pasi e mori veten, presidenti u kthye për të përshëndetur në krye të shkallëve, përpara se të nisej për t’u takuar me udhëheqësit e komunitetit aziatiko-amerikan, pas masakrës në një sallon aziatik masazhi në Atlanta, Georgia.

Gazetarët, që udhëtonin me Biden, thanë se kishte qenë një mëngjes me erë në Joint Base Andreës në Maryland, nga ku u nis “Air Force One”.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë deklaroi se “presidenti është 100 % në gjendje të mirë” pas rëzimit së tij.

Udhëheqësit amerikanë kanë një histori stërmundimesh me shkallën e përdorur për të hipur në avionin presidencial, që i ka kushtuar Pentagonit më shumë se pesë miliardë dollarë, por rrallë rëniet kanë qenë kaq spektakolare./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFurnizimi me ujë të pijshëm në qarkun e Elbasanit/ Balla: Investimet e katër viteve të fundit, më të larta se të gjithë periudhës 1992-2017
Artikulli tjetërKandidate në Tiranë, Dallëndyshe Bici: PS ecën si orë, lista gjithëpërfshirëse