TIRANË, 12 mars /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe vlerëson kontributin e Anastas Angjelit dhe Elona Gjebreas në Partinë Socialiste.
Ai shprehet se “dy shokë, dy miq, dy profesioniste, dy socialiste në dy gjenerata. Me profesor Anastas Angjelin kemi një jetë që njihemi, jetojmë, punojmë, luftojmë, qëndrojmë, rezistojmë, fitojmë për e me Partine Socialiste”.
“E njoh aq mirë sa kërkush tjetër dhe, po u them me bindje se nuk ka deputet zone si ai, i gjendur, ndihmues, mbështetës, kërkues. Por edhe profesionist si ai, për mua prej një jete në komisionin e Ekonomisë, do gjesh rrallë, origjinë, pjesë, zbatues konkret i politikave tona për të vegjlit, të pamundurit, bujqit, punëtoret, të mesmit. Por përtej kësaj pjesës së punës, prof. Hajdaraga, prof. Anastasi, Thoma Gëllçi, një tjetër dhe unë, kemi qenë shokë, jemi – me Luanin shpirtërisht tani. Kaq ishim ne një miqësi në kohët më të vështira të mundshme, të një regjimi kriminal të një krimineli që tani, ai tjetri e sheh si partner. Nejse, të paktën ne, miq do të mbetemi përjetë, edhe në një bote më të mirë, atje ku prof Hajdaraga po bën shaka me ne”.
Po ashtu, Braçe shpreh vlerësimin për Elona Gjebrean për kontributin e saj në PS.
“Elona Gjebrenë nuk e kam njohur më parë, e kam njohur në partinë tonë, në Kuvend, prej punës e fjalës së saj. E qetë, paqësore, qytetare edhe përballë agresionit të përsëritur të një krimineli që ia imponon Kuvendit dhunën e tij kundër gruas, nënës, vajzës po e shënjoi si kundërshtare. Elonës i jam mirënjohës për mbështetjen pafund, pas çdo fjale në Kuvend, pas çdo propozimi bërë në grup, pas çdo interviste, pas çdo debati. Elonë, nuk ta kam thënë, por një motivuese si ti do të donte ta kishte në krah gjithkush, unë i pari. Faleminderit pafund shërbimin tuaj, mbështetjen që me keni dhënë, Elonë ty për qetësinë e qytetarinë, Naci ty për profesionalizmin e nervin që e njoh veç unë”, shprehet Braçe.
/r.e/












