LONDËR, 8 mars /ATSH/ – Shpjegimi i autizmit tek fëmijët, ky është synimi që “Pablo”, seriali më i ri vizatimor kërkon të realizojë dhe sensibilizojë fëmijët që janë më të privilegjuar se ai, shkruhet në vanityfair.it.
Protagonist i serialit, i krijuar nga Grainne McGuinness, drejtuar nga David McGrath dhe transmetuar fillimisht në Britaninë e Madhe është, në fakt, Pablo, një fëmijë me autizëm dhe i talentuar në pikturë.
Në secilin episod, protagonisti i vogël has disa probleme apo situata të përditshme që nuk i kupton.
Por më pas, falë imagjinatës dhe aftësisë së tij në vizatim, problemi i momentit merr jetë në një botë fantazie dhe kafshët që ai përshkruan në letër materializohen, duke u bërë kështu miq të veçantë, të gatshëm për të shkuar në shpëtim të tij.
Kohë pas kohe, të gjitha këto kafshë të veçanta, të cilat, me një inspektim më të afërt, korrespondojnë me aspekte të ndryshme të personalitetit të Pablo, si dhe të shumë fëmijëve të tjerë me autizëm, do t’u ofrojnë vogëlushit zgjidhje befasuese dhe efektive për problemet e përjetuara prej tij.
Por jo vetëm.
Të gjitha këto kafshë të veçanta do të jenë në gjendje të këshillojnë Pablon se si të sillet në mënyrë që të kuptohet nga të tjerët gjithashtu.
Me pak fjalë, falë këtij ekipi kafshësh të veçanta, çdo sfidë e vogël apo e madhe e përditshme e Pablo do të kthehet në një aventurë fantastike për të jetuar së bashku dhe në ndarjen e zgjidhjeve të dobishme për të gjithë. /os/












