Raporti i “Freedom House”, reagime

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Freedom House publikoi sot raportin e saj vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua.

Sipas raportit Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.

Presidenti Ilir Meta nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale mbi raportin e Freedom House u shpreh se, Shqipëria është një hap më pranë autoritarizmit.

““Freedom House” e zbret Shqipërinë edhe më poshtë për vitin 2020, mes regjimeve Hibride! Shembjen e Teatrit Kombëtar për interesa klienteliste, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen kriminale të Klodian Rashës gjatë kohës së pandemisë nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë. Këto dhe të tjera ngjarje të rënda kurrë nuk do të amnistohen dhe për to drejtësia do vendoset në vend”, thekson Meta.

“Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një këmbanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh”, shton Meta.

“Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian”, përfundon Meta.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se “52 ditë deri më 25 prill, 100 dështimet e Ramës në 8 vite. A është Shqipëria një shtet i kapur për shkak të korrupsionit?
Përgjigjja Po. ‘Transparency International’ e rendit Shqipërinë ndër shtetet që kanë nivel të lartë të kapjes së shtetit për qëllime korruptive dhe lidhjeve të personalizuara”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.