Kryemadhi: LSI ka qenë gjithmonë kundër inceneratorëve

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ftuar në një studio televizive foli për çështjen e inceneratorëve, duke theksuar se qëndrimi i LSI-së ka qenë gjithmonë kundër tyre.

“Çështja e inceneratorëve për Monika Kryemadhin dhe LSI-në është bërë publike dhe e njohur diku rreth nëntor-dhjetor 2017. Asnjëri nga ne jo vetëm që nuk ka pasur dijeni për një gjë të tillë, por edhe ministrat e tjerë që kanë qenë në qeveri, qoftë Panariti, Klajda Gjosha, apo Sokol Dervishi dhe më pas Petrit Vasili që ka qenë ministër Drejtësie”, u shpreh Kryemadhi.

“Unë nuk kam qenë kryetare e LSI në atë kohë, por po flas për zotin Vasili, i cili ka bërë një letër Këshillit Bashkiak të Fierit ku kërkonte për inceneratorin e Fierit, bashkëbisedim me grupet e interesit. Pra me qytetarët. Unë për herë parë kam dëgjuar kryetarin e partisë për këtë çështje dhe i kam thënë që ti e di shumë mirë qëndrimin tim për mjedisin dhe mbetjet”, tregoi ajo.

Sipas Kryemadhit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i ka kërkuar që të mos fliste kundër.

“I kam thënë që nuk mundem. Ai thoshte që inceneratorët janë më mjedisorë se landifillet”, u shpreh Kryemadhi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.