Ballina Aktualitet

Kryemadhi: Programi ynë me 5 pika, kosto zero në buxhetin e shtetit

TIRANË, 24 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Programi ynë me 5 pika ka kosto zero në buxhetin e shtetit”, tha sot kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim në njësinë Nr. 3 në Tiranë. Sipas saj, “5 prioritetet tona janë shumë të thjeshta dhe shumë të mundshme për t’u realizuar”.

“Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është i domosdoshëm, sepse ne hyjmë tek vendet, që këtë informalitet ekonomik e kemi para, të cilën shqiptarët e paguajnë të tërë. E paguan ai që merr ndihmë ekonomike, e paguan hallexhiu, e paguan ai që të lustron këpucët, e paguan çdokush, por nuk e paguan vetëm ai oligarku, i cili e grabit dhe nuk e dorëzon TVSH-në në shitje. E paguan në hyrje me mallrat e importit dhe nuk e paguan pastaj në TVSH, që janë me miliona e me miliarda”, tha ajo.

Kryemadhi u ndal edhe tek programi “Nga bebja në bebe”. “Të gjitha ne jemi nëna dhe kemi hallin se ç’do bëhet me fëmijët tanë, të cilët duan të ikin. Pse duan të ikin? Duan të ikin sepse këtu nuk ndihen të sigurt, sepse thotë që nuk ka një punë të mirëpaguar dhe mendon se si do të ndërtojë ai një familje këtu, ku nuk ka ndonjë mundësi për të jetuar. Por, nëse ne u themi të rinjve që me programin tonë ‘Nga bebja në bebe’, në qoftë se ai do të lindë një fëmijë dhe kur ai të krijojë familje do të ketë 25 mijë dollarë nga bashkëshortja dhe 25 mijë të tjera do t’i ketë të vetat, ai ka një buxhet me të cilin mund të fillojë jetën nga fillimi. Kjo është një ndihmë për rritjen e numrit të lindjeve në Shqipëri, sepse për herë të parë këtë vit ne kemi më shumë vdekje sesa lindje, gjë që nuk ka ndodhur që pas Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Kryemadhi.

Ajo shtoi se për LSI, integrimi europian është shumë i rëndësishëm. “Jemi populli më i vjetër në Europë dhe si të tillë, për ne është shumë i rëndësishëm procesi i integrimit europian”, përfundoi Kryemadhi. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOKB: Platformat digjitale krijojnë sfida të reja të punës
Artikulli tjetërMoratoriumi përfundon në qershor/ Braçe: Duhet ligj dhe ekuilibër i ri për gjuetinë