Moratoriumi përfundon në qershor/ Braçe: Duhet ligj dhe ekuilibër i ri për gjuetinë

TIRANË, 24 shkurt /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se duhet një ligj i ri për gjuetinë, pasi moratoriumi mbaron në qershor dhe gjuetia ka dalë jashtë kontrollit.

Braçe shprehet se, “gjuetia e paligjshme në Shqipëri, gjuetarët e paligjshëm po vrasin jo vetëm çdo gjë të gjallë nga fauna e egër, por edhe njëri-tjetrin. Vetëm muajt e fundit, prej nëntorit e këtej, ka katër të vrarë në gjueti. Provë e qartë se gjuetia është kaq fakt sa edhe e paligjshme, madje po kthehet në vrasje mes njerëzish që kurrë nuk janë gjuetarë”.

Ai shtoi se në 7 vite moratorium, me policë në çdo fushë, kodër, mal, lëndinë apo pyll, me zbatim rigoroz të ligjit, veçanërisht dy vitet e para, u arrit të vendosej një ekuilibër krejt tjetër nga shfarosja barbare e çdo gjallese, shpendi e kafshe të egër që trashëguam.

“Por siç faktet dëshmojnë, respektimi i ligjit ka firot e veta, pasoja gjithashtu, në pamundësi të qartë për të kontrolluar gjithkënd dhe kudo, cep e me cep të vendit. Ndaj duhet një ekuilibër i ri në mjedis, ekosistem, faunë, mes shtetit, ambientit, popullatave të faunës së egër, ambjentalistëve e gjuetarëve”, u shpreh zv.kryeministri.

“Ekuilibër i ri me ligj të ri, rregulla të reja të ashpra që rregullojnë gjuetinë e vendosin një ekuilibër të ri që mbron mjedisin, ndal paligjshmërinë e përfshin në kontroll edhe aktore të tjerë, vetë Federatën e Gjuetisë, ambjentalistet gjithashtu. Nuk ka kohë për pushim. Moratoriumi përfundon në qershor dhe, kaosi në fazë të ndërmjetme apo pas tij do zhbëjë çdo arritje të derisotme”, theksoi ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.