TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/ “Plani ekonomik i PD është i parealizueshëm dhe falimenton vendin”, tha sot në një intervistë televizive, deputetja e PS-së, Elona Gjebrea.
Duke folur për programin ekonomik të opozitës, Gjebrea tha se, “ne pamë një program të Partisë Demokratike, sigurish jo të gjithë programin, por disa elemente si programi ekonomik”.
“Në fakt është diskutuar nga deputetë e PS-së, ekspertë, ministrat, ish-ministra që kanë përvojë në fushën ekonomike dhe sipas tyre, ky plan ekonomik i PD-së nuk shënon asnjë risi. Bëhet fjalë për një plan të parealizueshëm dhe që e falimenton vendin”, theksoi ajo.
Duke folur për kandidatë e rinj të PS-së, Gjebrea tha se PS ka nevojë për një freskim për një dinamizëm në strukturën e saj.
“Kandidatë e rinj kanë mundësinë dhe të drejtën të shprehin veten nëpërmjet prezantimeve tyre. Aplikimet janë të shumta dhe shumë inkurajuese dhe shpresojë shumë që parlamenti i ardhshëm të ketë shumë nga prirjet e reja por padyshim duke patur një ndërthurje të eksperiencës me dinamizmin që vjen nga të rinjtë”, tha ajo.
Gjebrea theksoi se grupi parlamentar i PS-së do të jetë një gërshetim i eksperiencave dhe ikonave të PS-së dhe freskisë që sjell një brez i ri.
“Kjo tregon qasjen e PS-së ndaj elementëve të rinj, por nga ana tjetër deputetët po vlerësohen nga anëtarësia e PS-së me pyetje që janë pyetje që tregojnë performacën e deputeteve ashtu sikurse puna aktuale e që bëjnë deputetëve dhe detyrat që u janë dhënë nga drejtuesit politik sipas qarqeve. Shpresojë që do të kemi një grup parlamentarë të PS-së të konsoliduar, aktiv dhe të gërshetimit të eksperiencave dhe ikonave të PS-së dhe freskisë që sjellë një brez i ri”, tha ajo.
/r.e/












