TIRANË, 10 shkurt /ATSH – I. Vata/- Zëvendëskryetare e grupit PS-së në Komisionin e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu tha se gjithë shoqëria duhet të sakrifikojë për të respektuar masat antiCOVID që të mos çojmë në kolaps sistemin shëndetësor.
Duke folur për masat e marra e reja antiCovid gjatë një intervistë televizive, Spahiu tha se ne e dhamë shembullin e mirë si shoqëri në një moment të caktuar, por pati një lirim të të gjithëve dhe kjo na solli kosto të rritjes së të infektuarve.
“E dimë shumë mirë se në dita e festave të Vitit të Ri pati një dyndje shumë të madhe njerëzish për të festuar dhe i pamë pasoja në fund të janarit dhe tani në fillim të shkurtit. Ishim në një farë mase pak të përgatitur për rritjen e numrit të rasteve, por kjo rritje, ky trend pozitiviteti ka shkuar 25-26% të testuar. Janë shifra të larta dhe kjo e ka detyruar Komitetin Teknik të marri masat dhe të kishte një kufizim më të madh. Shpresoj shumë që rezultatin e këtij kufizimi ta shohim në dy javët e ardhshme”, tha ajo.
Ajo tha se me shtimin e infektimeve gjatë ditëve të fundit janë të përgatitur edhe spitalet rajonale për të përballuar situatën.
“Nuk duhet të shpresojmë vetëm te spitalet por në radhë të parë të mobilizohet e gjithë shoqëria që të arrimë në kufizimin sa më të madh të infektimit. Dhe nuk është nevoja që ne të kolapsojmë sistemin, ne duhet të sforcohemi të gjithë që të kemi mundësi që sistemi të jetë i mbrojtur deri në një farë mase, sepse kemi parë edhe sisteme më të fuqishme janë kolapsuar. Dhe nuk mund ta harroj Gjermaninë, kur ishte gjithçka e mbyllur dhe izoluar numri rritej. Izolimi total i jep efekte pas dy-tre javësh. Ne më të vërtetë kemi forcuar masat dhe inspektoriati po bënë më tepër inspektime dhe ne kemi thënë do rrisim masën e gjobës, por nëse ne nuk rrisim shkallën e ndërgjegjësimit dhe nëse nuk forcojmë të gjitha hallkat nuk mund t’ja dalim vetëm me sistemin shëndetësor”, tha ajo. /a.a/





















