TIRANË, 7 shkurt/ATSH/- Në Sarandë do të ndërtohet edhe terminali i ri i autobusëve si dhe parking jashtë qytetit.
Lajmi u bë i ditur gjatë bashkëbisedimit të Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në Sarandë nga kryebashkiaku Adrian Gurma në përgjigje edhe të interesit të një qytetari i cili punon në sektorin e turizmit.
“Doja ta sqaroja që është pjesë e paketës së Bankës Botërore përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Projekti është gati si për terminalin si dhe për vendparkimin jashtë qytetit në fshatin 6. E kemi diskutuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit” – tha kryebashkiaku, duke shtuar se janë në fazën e projektimit.
Duke sjell si shembull investimin e Bashkisë Korçë në bashkëpunim me një sipërmarrje ku po përfundon ndërtimi i terminalit të ri të autobusëve, Rama tha se “të gjitha bashkitë edhe Saranda e ka mundësinë ta bëjë terminalin e autobusave vetë, ose me sipërmarrjen ose me Fondin e Zhvillimit. Mjafton ta vendosë këtë në prioritete e veta. Të fokusohet te bërja e projektit dhe besoj edhe financimi gjendet pasi besoj është një investim jo shumë i vogël, por jo edhe aq i madh sa të mos jetë i realizueshëm”.
“Terminali i autobusëve është shumë i rëndësishëm për Sarandën pasi fluksi i turistëve që vijnë këtu dhe numri i autobusëve që hyjnë dhe dalin në Sarandë është më i madh se sa në çdo vend tjetër përveç Tiranës”, theksoi Rama.






















