“Zero tolerancë”/ Manastirliu ngre grup pune për investigim të plotë administrativ në COVID 2

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në një komunikim me median ka deklaruar se është ngritur një grup pune për hetimin administrativ në Spitalin ” Shefqet Ndroqi”- COVID 2 lidhur me rastin e denoncuar së fundmi nga një emision investigativ.

“Këto nuk janë ditë të këqija, por janë ditë të mira. Është ditë e mirë sa herë që një qytetar bën një denoncim me fakte dhe na jep mundësinë të largojmë këta çibanë nga sistemi shëndetësor. Nuk ka dyshim që një, dy apo tre individë, që abuzojnë me një detyrë të shenjtë, që iu është ngarkuar, nuk mund të përfaqësojnë armatën e mjekëve, infermierëve, sanitareve, shoferëve, të gjithë atyre që shërbejnë e sakrifikojnë çdo ditë në sistemin tonë shëndetësor. Mund të kemi dhe tjetër rast që mund të denoncojë, dhe unë i falënderoj, por kemi dhe mijëra që janë falënderues dhe e nderojnë bluzën e bardhë. Unë inkurajoj çdo qytetar apo gazetar investigues, që të denoncojnë dhe t’i shkojnë deri në fund indicieve më të vogla. I siguroj se do të kenë mbështetjen tonë të pakursyer. Kushdo që abuzon me qytetarët do të marrë dënimin që meriton. Unë kam ngritur një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, që do të kryejë një investigim të plotë dhe verifikim të cdo akuze në Covid-2”, tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se është shumë e rendësishme që qytetarët tju drejtohen autoritet dhe të denoncojnë çdo shkelje nga autoritetet shëndetësore.

“Kam një thirrje këtu për qytetarët, mos bini pre, informoni autoritetet nese shihni se nuk shkon diçka e personelit shëndetësor ndaj jush. Çdo qytetar ka në dispozicion platfotmën e bashkëqeverisjes dhe numrin 08004040 për tu drejtuar për çdo shqetësim. Ne do ti shkojme deri ne fund kesaj lufte”, tha Manastirliu. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.