Ballina Flash

Gjenet e hershme, shkaktare të formave të rënda të COVID-19

ROMË, 2 janar /ATSH-ANSA/ – Në rrezikun për të pasur një formë të rëndë të COVID-19 duket se janë disa gjene të vendosura në kromozomin 3, të trashëguara rreth 60 000 vjet më parë, sipas një hulumtimi të botuar në revistën shkencore “Nature”.

Studiuesit zbuluan se rajoni në kromozomin 3, i shoqëruar me rrezikun e dështimit të frymëmarrjes në rastin e infeksionit Sars-CoV-2, buron nga një sekuencë e ADN-së që përmban gjashtë gjene të trashëguara nga Neandertalët.

“Kjo është një sekuencë gjenetike e pranishme në ADN-në e rreth gjysmës së individëve në Azinë Jugore dhe në 16 % të europianëve”, shkruajnë autorët.

Hulumtimi tregon në veçanti se, tek ata që zhvillojnë COVID-19, kjo trashëgimi gjenetike është e lidhur me një rrezik tre herë më të madh për të pasur nevojë për ventilimin mekanik.

Përfundimi bazohet në analizën e të dhënave gjenetike të 3 199 pacientëve me një formë të rëndë të COVID-19 dhe vëzhgimit se disa variante gjenetike të pranishme në kromozomin 3 ishin shumë të shpeshta për të qenë mutacione të rastësishme./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë/ 8 mijë raste aktive me COVID-19
Artikulli tjetërMjekja Çobo flet për ushqyerjen gjatë shtatzanisë