KANBERRA, 14 dhjetor /ATSH/ – Miliona përdorues në shumë vende të botës nuk kanë mundur të hyjnë në llogaritë e tyre në Gmail, dokumentet e Google dhe YouTube, sipas ”Financial Review”.
Faqet e këtyre llogarive treguan rritje të mëdha për ndërprerje në të gjithë Europën, Amerikën dhe Azinë.
Përdoruesit që u përpoqën të hynin në Gmail morën mesazhin ”Gabim i përkohshëm”.
“Na vjen keq, por llogaria juaj është përkohësisht e padisponueshme. Ne ju kërkojmë falje për shqetësimin dhe sugjerojmë të provoni përsëri brenda pak minutash”, lexohej në të.
Faqja kryesore e YouTube kishte vënë një karikaturë të një shimpanzeje që mbante mesazhin “Diçka shkoi keq”.
Por, faqja e ndarjes së videove dukej se funksiononte nëse përdoruesit e aksesonin atë nga modaliteti “I fshehtë” ose “Privat” në shfletuesit e tyre.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Google për atë që mund të ketë shkaktuar ndërprerjen ose kur shërbimet mund të rikthehen./ a.jor.























