Ballina Flash

Rakacolli: 3 spitalet COVID ende të paezauruara

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli deklaroi sot se nuk ka mungesë vendesh në spitalet COVID-19.

Gjatë konferencës së përbashkët të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Rakacolli bëri të ditur se nëse arrihet të ezaurohen kapacitetet në tre spitalet COVID, atëherë do të hapet edhe spitali COVID-4 dhe më pas edhe spitalet rajonale.

Ndërkohë, Rakacolli informoi se deri tani shkollat nuk përbëjnë rrezik për rritjen e shifrave të koronavirusit në vend.

“Maskat kanë dhënë rezultat pasi në të kundërt shifrat do të ishin detyrimisht më të larta. Gjatë hetimit epidemiologjik, më të shumtat e rasteve nuk i kanë përdorur maskat. Unë shpjegova që çdo masë që merret, merret për shkak të shifrave. Ne nuk na rezulton që në shkolla të kenë një shpërndarje më të madhe të koronavirusit. Ne po vazhdojmë monitorimin dhe gjithmonë masat do të jenë në dinamikë me rritjen e të infektuarve. Shkollat nuk kanë influencuar në rëndimin e situatës”, – tha Rakacolli.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se çdo javë do të ketë një komunikim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë për mediat mbi situatën me masat kufizuese si dhe për situatën epidemiologjike. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis puna për Rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Korb Muça” në Krujë, financuar nga BE
Artikulli tjetërCOVID-19 –  Mali i Zi vendos shtetrrethimin e natës