Kodi Zgjedhor/ Debati për dekretin e Presidentit

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta publikoi sot kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias për “një opinion urgjent mbi procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të
përshpejtuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

Më herët në një komunikim për mediet, Presidenti deklaroi se i ka dërguar 8 pyetje për opinion Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi reagoi duke theksuar se “beson se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët dhe se parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen për të rivotuar”.

“Kodi Zgjedhor i Shqipërisë: Unë besoj se Komisioni i Venecias do të japë këshilla të shpejta për palët e interesuara në Shqipëri mbi zbatimin e ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet t’i marrë këto këshilla në konsideratë përpara se t’i rivotojë. Mezi pres të shoh zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan Varhelyi.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama kujtoi se “mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti”.

Kryeministri theksoi se “parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë”.

“Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venecias mirë se të vijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, tha Rama. /m.m/ /gj.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.