Ballina Aktualitet

Mbajtja e detyrueshme e maskave/ 769 masa administrative për shkelësit në 24 orët e fundit

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Edhe gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe në orët e mbrëmjes.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se, “gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 600 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila”.
Sipas policisë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 22 shtetas, të cilët kanë thyer protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke u grumbulluar në tubime të paligjshme. Në përfundim të veprimeve këta shtetas janë proceduar penalisht dhe janë ndëshkuar edhe me masën administrative 3000 lekë secili.
“Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë vendosur 169 masa administrative me masë 3.000 lekë secila, për pasagjerë të cilët nuk kishin lidhje familjare me drejtuesit e mjeteve private dhe ishin pa maska mbrojtëse në mjet, si dhe për pasagjerët pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik”, thuhet në njoftimin e policisë. /j.p/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE rikthen kufizimet e udhëtimit për disa shtete
Artikulli tjetërCOVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 1375 testime, 116 të shëruar, 297 raste të reja dhe 4 humbje jete në 24 orët e fundit