Ballina Aktualitet

“Nishani i opozitës, sërish çoroditja e publikut”/ Shqiptarët do vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, ja si do funksionojë sistemi ETIAS

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sikurse Shqipëria do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Europian, por thjesht do t’iu kërkohet të marrin një autorizim përmes ETIAS.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku sqarohet programin ETIAS nga Bashkimi Europian për lëvizjen e shqiptarëve në zonën Shengen.

“Fatkeqësisht e sërish, nishani i opozitës është dezinformimi dhe çoroditja e publikut shqiptar. Ja e vërteta e zbatimit të programit ETIAS nga Bashkimi Europian, ku shtetasit e vendeve pa viza me BE, sikurse Shqipëria, do të vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por nga 2023 do t’u kërkohet që të marrin vetëm një autorizim elektronik online para nisjes, në funksion të një filtri digjital të BE kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve shëndetësore. Vini maskën në mendje kundër virusit të dezinformimit dhe çoroditjes”, – nënvizoi Rama.

Bashkimi Europian ka zhvilluar programin e quajtur ETIAS që është një sistem i autorizimit dhe informacionit elektronik të udhëtarëve. Siç shpjegon vetë BE, ETIAS është vetëm një autorizim elektronik udhëtimi për qytetarët që lëvizin pa viza në vendet e zonës Shengen.

Qëllimi i këtij programi është filtrimi dhe skanimi për arsye të mirëfillta sigurie i qytetarëve që dëshirojnë të udhëtojnë drejt zonës Shengen.

Përmes këtij sistemi elektronik qytetarët e 62 vendeve të botës përfshirë këtu edhe SHBA-në, Zvicrën, Britaninë e Madhe, Japoni e me radhë përfshirë edhe Shqipërinë do të duhet të plotësojnë një formular online që merr vetëm pak minuta kohë.

Në këtë formular qytetari jep detaje për udhëtimin, të dhëna për shëndetin dhe ato të lidhura me rekorde kriminale. Çdo e dhënë verifikohet me pas me të dhënat e Interpol apo Europol, mbajtësi i autorizimit të ETIAS do të qëndrojë në vendet Shengen për 90 ditë.

Për momentin janë 62 vende të botës qytetarëve të të cilave do t’iu kërkohet të paraqesin një aplikim ETIAS në internet. Plani i BE-së është që në vitin 2023 shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen duhet të aplikojnë në këtë sistem.

Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sikurse Shqipëria do vijojnë të udhëtojnë pa viza në BE, por thjesht do t’iu kërkohet të marrin një autorizim, përmes ETIAS ndërkohë që ky autorizim nuk do t’iu kërkohet vendeve që kanë viza me BE, si Turqia, Rusia etj.

Ky fakt e bën plotësisht të qartë për këdo dallimin mes vizave dhe autorizimit, në fjalë është e qartë që zbatimi i këtij programi nga BE nuk ka të bëjë me asnjë standard të deritanishëm, të qeverisjes në Shqipëri e as me performancën e shtetit shqiptar, në rrugën drejt integrimit drejt BE-së, por vetëm me synimin për të mbajtur më të sigurtë kufijtë e BE-së.

Përsëri si gjithnjë nishani i opozitës është dezinformimi dhe çoroditja e publikut shqiptar. /k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Maqedonia e Veriut/ Njihen certifikatat fitosanitare, reduktohet dokumentacioni dhe koha e pritjes në kufi për produktet bujqësore
Artikulli tjetërPasuria e miliarderëve arrin majat gjatë pandemisë