GJENEVË, 30 shtator /ATSH-DPA/- Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) ka caktuar sasinë e masave ndëshkuese që Bashkimi Europian lejohet të marrë kundër subvencioneve të SHBA-së për prodhuesin e avionëve “Boeing”, thanë sot burimet diplomatike, pa zbuluar hollësi të mëtejshme.
Vendimi vjen pas mosmarrëveshjeve me vite midis Brukselit dhe Uashingtonit, të cilët kanë akuzuar njëri-tjetrin për mbështetje të padrejtë shtetërore për dy kompanitë më të mëdha në botë të avionëve, konsorciumin europian “Airbus” dhe rivalin e tij amerikan “Boeing”.
Në tetor të vitit të kaluar, OBT lëshoi një vendim të ngjashëm në lidhje me “Airbus”, që i dha të drejtë SHBA-së të vendosë tarifa hakmarrëse për 7,5 miliardë dollarë produkte të BE-së në vit.
Sipas raporteve financiare të lajmeve, vendimi i ri i OBT lejon detyrimet e BE-së vetëm për katër miliardë dollarë mallra amerikanë, ndërkohë që Blloku kishte shpresuar për trefishin e kësaj shume.
Burimet diplomatike thanë se ky vendim i është dërguar administratës amerikane në Uashington dhe Komisionit Europian në Bruksel të hënën, por do të bëhet publik vetëm në mes të tetorit./ /ervo/























