Ballina Aktualitet

Lufta kundër korrupsionit në drejtësi/ GRECO vlerëson arritjet e qeverisë shqiptare: Përmbushi 9 nga 10 rekomandimet

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Pas 4 vitesh monitorimi GRECO, organizmi i Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit i jep dritën jeshile shtetit shqiptar.

“Një lajm tejet inkurajues në luftën kundër korrupsionit u zyrtarizua sot në Seancën Plenare e 85-të e GRECO-s, ku u diskutua në lidhje me Shtojcën e Raportit të dytë të Përputhshmërisë, në kuadër të Raundit IV të Vlerësimit për Shqipërinë me objekt “Parandalimi i korrupsionit në lidhje me anëtarët e Parlamentit, gjyqtarët dhe prokurorët”, tha sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjonaj u shpreh se, “gjatë këtyre katër viteve që Ministria e Drejtësisë është caktuar si Koordinatori Kombëtar për çështjet e korrupsionit, ky raportim shënon padyshim arritjen më të lartë të Shqipërisë në plotësimin e rekomandimeve, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në rajon, pasi kemi arritur kështu të përmbushim 9 nga 10 rekomandime”.

“Teksa në Raportin e Dytë të Përputhshmërisë në lidhje me Raundin IV të Vlerësimit për Shqipërinë të miratuar në qershor 2018, GRECO vlerësoi se Shqipëria ka përmbushur 4 nga 10 rekomandime, sot jemi krenarë për progresin e dukshëm, i cili sot u vulos me njohjen nga GRECO të plotësimit edhe të 5 rekomandimeve të tjera”, u shpreh Gjonaj.

“Qëllimi i seancës së sotme plenare ishte vlerësimi i ecurisë së Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimeve të GRECO-s mbi parandalimin e korrupsionit, miratimin dhe zbatimin efektiv të kuadrit ligjor për etikën në Kuvend, ngritjen e strukturave përgjegjëse për etikën në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si dhe ngritjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, tha ministrja e Drejtësisë.

/gj.mima//a.a//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdryshimet në Kodin Zgjedhor/ Mblidhet grupi i punës, opozita parlamentare dorëzon propozimet
Artikulli tjetërSHBA – “Facebook” ngre bordin mbikëqyrës të përmbajtjes para zgjedhjeve presidenciale