Ballina Flash

Sot, Dita Botërore e Alzaimerit

TIRANË, 21 shtator/ 21 shtatori njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Alzaimerit, duke u konsideruar si një ditë në të cilën politikëbërësit, ofruesit e shërbimeve, familjarët që kanë individë të prekur dhe i gjithë opinioni publik, përqendrojnë vëmendjen në rritjen e sensibilizimit lidhur me këtë sëmundje.

Instituti i Shëndetit Publik thotë se kjo ditë synon të përqendrojë vëmendjen në aktivitetet e nevojshme mbështetëse për individët e prekur, familjarët e tyre, por edhe të parandalojë e të sensibilizojë komunitetin në përgjithësi.

Sëmundja Alzaimer është forma më e zakonshme e demencës, e gjendur në mbi 70 % të individëve me demencë ndërsa slogani i kësaj dite për vitin 2020 është ‘Le të flasim për demencën.

“Slogani i këtij viti synon që njerëzit të kuptojnë e inkurajojnë hapjen dhe diskutimin mbi demencën. Si faktorë të rrezikut për demencë përfshihen edukimi i hershëm, hipertensioni, dëmtimi dëgjimit, mbipesha, pirja e duhanit, depresioni, pasiviteti fizik, diabeti dhe izolimi shoqëror.

Individualizimi i kujdesit për pacientët me demencë, duke siguruar mbështetje për anëtarët e familjes dhe planifikimin për të ardhmen, përfshirë kujdesin në fund të jetës, janë aspekte të rëndësishme që duhet të merren parasysh’’, thonë ekspertët e ISHP-së.

“Është parë që diagnostikimi i hershëm dhe kujdesi në kohë i një sëmundje të tillë mund të përmirësojë dukshëm gjendjen e një pacienti. Kujdesi më i mirë i mundshëm mund të arrihet vetëm përmes diskutimit, destigmatizimit, diagnostikimit të hershëm dhe vendosjes së nevojave të pacientit dhe familjes së tij në radhë të parë”, shtojnë më tej ekspertët. z.tosku/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDyfishohet numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut, punësojnë 5 mijë persona
Artikulli tjetërDenisa e vogël sot shkon në shkollë normalisht/ Ministrja Kushi i dhuron çantë, tabletë dhe mjetet e duhura shkollore