Dyfishohet numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut, punësojnë 5 mijë persona

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Numri i ndërmarrjeve të përpunimit të peshkut në Shqipëri është dyfishuar që prej vitit 2013.

Nga 16 ndërmarrje që operonin në këtë sektor në vitin 2013, sot numri i tyre ka arritur në 32.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi deklaroi sot se krahas rritjes së numrit të ndërmarrjeve active rritje ka njohur edhe numri i të punësuarve.

“Investimet e kryera nga këto ndërmarrje llogariten 60 milionë euro, ndërsa janë të punësuar mbi 5 mijë persona”, deklaroi Çuçi.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit po shkon drejt katërfishimit, krahasuar me vitin 2013. Vetëm gjatë vitit 2019 vlera e eksporteve shqiptare të peshkut arriti në 100 milionë euro. Rritje e mëtejshme me 24.5% është shënuar edhe gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti.

Qeveria thotë se rritja e sektorit të peshkimit në Shqipëri është impresionuese dhe aspak e rastësishme, por rezultat i politikave tona, si dhe dëshmi e pakontestueshme e transformimit të madh që ka pësuar ky sektor.

Prej 6 vitesh peshkatarët e marrin naftën pa taksa, rrjetat dhe materialet e tjera të peshkimit janë përjashtuar nga TVSH-ja.

Qeveria së bashku me Bashkimin Europian do të vënë në dispozicion një grant prej 1.5 milionë euro për të subvencionuar 50% të shpenzimeve për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.