TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, është bërë pjesë e Bordit Këshillues të Lëvizjes Kundër Antisemitizmit.
Në një njoftim për shtyp Ambasada e Izraelit në Tiranë theksoi se Leskaj është anëtarja e parë myslimane e bordit dhe bashkohet me një listë mbresëlënëse të këshilltarëve që ndihmojnë organizatën të drejtojë luftën kundër antisemitizmit në të gjithë botën.
Leskaj ka qenë deputete nga 2002-2017, ku mes shumë detyrash të larta ishte edhe Ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale, Zëvendëskryetare e Parlamentit dhe Nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nga 2013-2017, ajo ishte Presidente e Grupit të Miqësisë Shqipëri – Izrael në Parlamentin shqiptar dhe kryetare e Parlamentit shqiptar në Këshillin e Europës. Krahas karrierës së saj politike, Leskaj ka qenë gjithashtu aktive në akademi dhe shoqëri civile, duke shtuar një zë të rëndësishëm në çështjen e barazisë dhe të drejtave të njeriut.
Leskaj është autore e shumë botimeve mbi politikën, të drejtat e njeriut, gjininë, popullsinë dhe çështjet e zhvillimit. Që kur u tërhoq nga politika në 2017, Leskaj ka shërbyer si Kryetare e Bordit Këshillimor të Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, të cilën ajo themeloi në 1995.
Valentina Leskaj bashkohet me Bordin Këshillimor të CAM, i cili tashmë përfshin Kryetarin e Agjencisë Çifute Isaac Herzog, ish-senatorin amerikan Joe Lieberman, ikonën e të drejtave të njeriut Natan Sharansky, Kryetarin e Frankfurtit Uwe Becker, Lordët e Mbretërisë së Bashkuar John Mann dhe Eric Pickles, plus akademikun e mirënjohur të Harvardit dr. Ruth Wisse./k.s//a.a//r.e/























